Kreu i Lega Nord, Matteo Salvini ka komentuar fushatën e vaksinimit të qytetarëve në Itali kundër pandemisë së koronavirusit. Sipas “La Repubblica”, Salvini ka bërë me dije se vetë nuk është vaksinuar dhe se nuk ka ndërmend që ta marrë dozën e rekomanduar.
“Unë nuk jam vaksinuar, prindërit e mi 75-76 vjeç janë vaksinuar dy herë, të qetë dhe të sigurt. Por refuzoj të shoh dikë që ndjek djalin tim 18-vjeçar me një shiringë në dorë. Të matur po, të tmerruar jo,”-tha ai. Po ashtu, Salvini komentoi edhe lidhur me variantin Delta të pandemisë duke bërë edhe një parashikim për të ardhmen.
“Varianti Delta është më ngjitës por nuk vret më. Ne do të duhet të jetojmë me këtë virus, pasi jetojmë me shumë viruse të tjerë, pa qëndruar brenda, por duke marrë të gjitha masat e nevojshme. Ky është pozicioni i Lidhjes. Ne mbrojmë të moshuarit. por le t’i lëmë fëmijët të lirë të argëtohen duke respektuar rregullat. Unë nuk dua të dëgjoj për mbylljet, ndalimin e orarit, zonat e kuqe dhe portokalli,“-shtoi Salvini.