Drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Ilir Murtezaj ka mbajtur një tryezë me përfaqësues të odave ekonomike për të diskutuar për aplikimin dhe implementimin e masave të reja për ringjalljen ekonomike.
Ai shpjegoi tri masat e Qeverisë Kurti që e prekin direkt edhe ATK. Murtezaj tha se është e nevojshme për bizneset dhe punonjësit të informohen për të njëjtat.
Ai tha se ATK ka bërë gjitha përgatitjet për implementimin e masës për mbështetje të punësimit, nxitje të punësimit të ri dhe mbështetjen e grave në punësim. Sipas tij, deri më tani janë identifikuar të gjithë ata që mund të përfitojnë nga këto masa.
Për masën 1 është autorizuar ATK në implementimin e saj.
“Në kuadër të këtyre 5 masave, për masën 1 është autorizuar ATK me qëllim të implementimit të kësaj mase. Aty parashihet mbështetja e punësimit, ku vlera totale e mjeteve që parashihen të mbështetet kjo kategori e të punësuarve është 50 milionë euro. Masa 1 është e ndarë në tri nën masa, që ka për qëllim të mbështesë të gjithë personat ose punonjësit që gjatë periudhës së pandemisë kanë humbur vendet e tyre të punës dhe nga data 1 korrik e këndej janë ri punësuar. Mbështetja nga ana e qeverisë do të jetë deri në 50 përqind të pagës, me maksimumin e mbështetjes deri në 170 euro bruto”, tha ai.
Megjithatë, bëri të ditur se afati i fundit për zbatimin e këtyre masave është qershori i vitit 2022.
Ndërkohë, i nxiti përfaqësuesit e bizneseve që të aplikojnë për këto masa, pasi siç tha aplikimi është shumë i thjeshtë.
“Përmes jush përcjell mesazhin tek të gjithë anëtarët e juaj të odave ekonomike te përfaqësues e kontabilitetit. Bizneset të jenë sa më shumë të informuar rreth këtyre masave dhe njëkohësisht edhe t’i nxisim t’i aplikojnë”, shtoi Murtezaj.
Diskutimin e tillë e mirëpriten edhe nga përfaqësuesit e odave ekonomike. Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane tha se ekzekutivi duhet të ketë vendime për vazhdim të mbështetjes së bizneseve.
Megjithatë, ai kritikoi subvencionimin e punëtorëve joformal në kontributet pensionale.
“Është mirë që kemi vendime për vazhdim të mbështetjes së bizneseve duke e ditur që pandemia dhe masat kufizuese dhe kufizimi i aktivitetet po vazhdon. Megjithatë, Oda Ekonomike Amerikane ka rezerva për masat që subvencionojnë ata që kanë qenë joformal deri më tani. Por meqenëse fokusi është tek punonjësit nuk është faji i tyre pse ata nuk kanë qenë të formalizuar. Për këtë pranohet kjo pagesa e kontributeve pensionale për një periudhë të caktuar”, shtoi Zeka.
Javë më parë, Qeveria Kurti ka miratuar një pako, siç po e quajnë të ringjalljes ekonomike me rreth 400 milionë euro për ndihmë ndaj bizneseve, si pasojë e Covid 19.
Shuma totale e pakos së ringjalljes ekonomike kap vlerën 420 milionë euro dhe vlen të theksohet se në kuadër të pakos, hyjnë edhe bonot e diasporës, ku mjetet nga këto letra me vlerë do të përdoren për financimin e një pjese të pakos. Kjo pako përbëhet nga 5 grupe të masave, të cilat më pas ndahen në nënmasa.
Kryesisht grupet janë: mbështetja e punësimit në vlerë 50 milionë euro; ringjallja e ekonomisë së prodhimit, në vlerë 108 milionë euro; mbështetja për familjet në vlerë 50 milionë euro; mbështetja për shërbimet publike 112 milionë euro, si dhe investimi në infrastrukturë dhe ambient, 100 milionë euro.