Të paktën 60 persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e sulmeve kamikaze në Afganistan. Lajmin e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetit Publik në Afganistan.
Ndërsa, sipas AP mes viktimave janë edhe 12 ushtarë amerikanë, më konkretisht 11 marinsa dhe një mjek ushtarak. Si pasojë e shpërthimeve mbetën po ashtu të plagosur të paktën 143 persona. Sipas mediave të huaja të paktën 15 marinsa të tjerë janë plagosur nga sulmi me bomb.
Më herët gjatë të enjtes ndodhën dy shpërthime në aeroportin e Kabulit. Sipas SHBA ky ishte një sulm i koordinuar i ISIS, por ende janë duke u bërë verifikime. Mediat raportojnë edhe për një shpërthim të tretë, por ende nuk ka asgjë të konfirmuar kurse numri i viktimave pritet të rritet.
Vendet e NATO -s, përfshirë Danimarkën, tashmë kanë ndaluar përpjekjet e tyre për evakuim këtë mbrëmje, ndërsa portat e aeroportit tani janë mbyllur nga trupat amerikane.
Megjithatë Boris Johnson, i cili këtë mbrëmje drejtoi një takim urgjent të COBRA në Downing Street, këmbënguli që Britania e Madhe do të vazhdojë fluturimet e saj të evakuimit.