Një raport sekret që flet për mbërritjen e deri në 2 milionë refugjatëve afganë në kufirin grek ka përfunduar në zyrën e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis. Sipas “NEA Savvatokyriako”, raporti, i cili u përshkrua si “top sekret”, analizon të dhënat që do të dalin në javët e ardhshme pasi talebanët të vendosen mirë në pushtet.
Sipas skenarit të mirë, rreth 1 milion refugjatë do të mbërrijnë në Greqi, me shpresën për të kaluar në Evropë, pasi të largohen nga Afganistani. Në raport përmendet edhe depërtimi i xhihadistëve të rrezikshëm në territorin grek, dhe rrjedhimisht në Evropë.
Me fjalë të tjera, terroristë të mundshëm do të përfitojnë nga fluksi i refugjatëve dhe do të jenë në gjendje të kalojnë kufijtë evropianë. Së fundi, qeveria është informuar se në periudhën nga dhjetori deri në janar-shkurt, numri i refugjatëve do të rritet në kufirin greko-turk në Evros.