Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Arben Vitia, ka folur për mundësinë e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, që janë caktuar të mbahen më 17 tetor.
Situata me Covidin në Kosovë kohët e fundit është përkeqësuar, por ministri ka thënë se vendimi, për shtyrje apo jo, do të merret bazuar në rekomandimet e ekspertëve.
“Natyrisht, ky është një vendim i cili do merret nga rekomandimet dhe vlerësimi i situatës në teren nga ekspertët dhe çdo rekomandim i tyre pastaj do të diskutohet dhe respektohet”, ka thënë Vitia.
Ndërsa, për mundësitë e shkurtimit të fushatës zgjedhore, Vitia tha se për momentin masat janë të tilla që ndalojnë grumbullimet me rrezikshmëri dhe se të tillat do të jenë në fuqi.
Krahas kësaj, ministri i Shëndetësisë tha se nuk do të ketë lirim të masave edhe pas 13 shtatorit.
Ndryshe, Vitia ka thënë se situata me COVID-19 është e rëndë, pavarësisht rënies së rasteve.
Ai njoftoi se kanë filluar negocimin për blerjen e 1 milion dozave të tjera të vaksinave antiCOVID, kjo për shkak se siç tha ai do të ketë nevojë edhe për dozën e tretë të vaksinës.