Pavarësisht rezistencës së banorëve prej ditësh, fadromat e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) kanë nisur shembjen e banesave në njësinë numër 4, për t’i hapur rrugë projektit të rindërtimit në zonën e 5 majit. Në ndihmë të IMT-së në zonë, kanë mbërritur forca të shumta të policisë dhe pritet të shemben rreth 11 shtëpi. Ndërsa policia ka shoqëruar një banor.
Të lodhur, të pagjumë dhe jashtë dyerve të shtëpisë, ata rrëfyen ‘betejën’ e vështirë që po kalojnë nga shembja e banesave të tyre, ndërsa theksojnë se nuk kanë rënë dakord me marrëveshjen që u ka ofruar bashkia. Rezistencës së tyre u janë bashkuar edhe banorët e njësisë numër 8, shtëpitë e të cilëve preken nga i njëjti projekt.
Një tjetër banore ka nisur me akuza ndaj shtetit pasi edhe asaj po i prishej banesa. Me zë të ngjirur një grua ka kërkuar e dëshpëruar të drejtën duke iu drejtuar mediave.
“Janë vrasës nuk janë shtet. Po luftojmë për të drejtat tona, sot u prish shtëpia ime, këto janë armiqtë nuk janë shqiptarë. Ku janë pushtetarët se jam duke vdekur. Janë vrasës…që vrasin popullin, vrasin fëmijët, njerëzit. Nuk e vret kush mafien. Këtu s’ka pas shtet këtu e 500 vjet. Do pirshin shtëpinë time për të bërë kullën 500 kate. Këtu të vrasin mafiozët që të vrasin ditën e të qajnë natën. Kam 40 vjet këtu, s’kam hedh as firmë.”, u shpreh ajo.
Pamje shumë emocionuese na vijnë nga lagjja ‘5 Maji’ në Kryeqytet. Banorë kanë hipur në dritaret e shtëpive të tyre dhe nuk pranojnë të dalin.
“O Edi Rama, o Sllobodan, o ortodoks i ndyrë, largohu. Largohuni nga shtëpia, kam mbi 30 vjet këtu. Le të vijë Edi Rama këtu. Pushtet i fëlliqur, pushtet i ndyrë”, thërret një prej tyre, i hipur në dritaren e shtëpisë së tij.
Ndërkohë që një tjetër ishte ngjitur sipër fotos kryesore të shtëpisë së tij.
“Hiqeni more maskat. Familja në Dibër ka luftuar me serbin o zotërinj”, thërret ai.