Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet nga kthimi në Shqipëri i 13 shqiptarëve nga kampet e ferrit në Siri.
“Kemi kthyer në atdhe 13 shtetas të tjerë shqiptarë nga kampet e ferrit në Siri këtë mëngjes nga Prishtina. Janë 4 gra dhe 9 fëmijë që rikthehen në gjirin e familjes, duke e çuar në 43 numrin e bashkatdhetarëve tanë që shpëtuam që kur e nisëm këtë përpjekje të përbashkët”, shkruan Rama.
“Se më pyetën fëmijët po ne ku do shkojmë? Edhe i thashë që ju do shkoni në një qendër pritëse ku do bëni të gjithë analizat, do ketë dhe edukatorë e mësues, e sapo të jeni ju të gjithë gati e të ndiheni mirë ju dhe mamat tuaja, do gjejmë mënyrën më të mirë për t’i rehabilituar, kthehen e në shkollë”, informoi një nga personat e përfshirë në operacion ministrin Bledi Çuçi.
Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi nga aeroporti i Prishtinës tha se ky “ishte një operacion shumë i rëndësishëm për riatdhesimin e 13 shtetasve shqiptarë të Shqipërisë por dhe shtetas shqiptarë të Kosovës në një operacion të përbashkët me Kosovën, nga kampet famëkeqe, nga ferret e këtyre kampeve në Siri.
Për ne si Shqipëri ka qenë operacioni i katërt që zhvillojmë, gjithsej 43 persona që kemi kthyer, fëmijë e gra që tani do jenë pranë gjirit të familjeve të tyre.
Falënderoj partnerët tanë strategjikë, SHBA me të cilët organizuam në mënyrë perfekte cdo detaj të këtij operacioni.
Dua të siguroj që mbetemi të vendosur për të kthyer nga këto kampe cdo shqiptar që ka mbetur aty, cdo fëmijë e cdo grua. Kemi statistika të sakta të bëra që nga tre operacionet e para, me partnerët libanezë, këshilltarit tonë diplomatik në Liban, e të gjitha këto lista që do i përditësojmë akoma më tepër do bëjmë të mundur të kthejmë cdo shqiptar që ka mbetur në këto kampe”.