Lufta në Ukrainë sot është në ditën e 99-të. Ndërkohë ushtria ruse ka avancuar në lindje dhe në këtë fazë të konfliktit duket i pandalshëm. Rritet “tensioni” mes Moskës dhe Washingtonit, pasi Joe Biden njoftoi dje se SHBA do të furnizojë Ukraniën me raketa “Hiamrs”, me rreze të mesme të teknologjisë së lartë.
Shtetet e Bashkuara do t’i dërgojnë Ukrainës katër sisteme raketore të sofistikuara dhe municione për të ndihmuar në përpjekjen e ndalimit të përparimit rus në rajonin e Donbasit. Sistemet e raketave janë pjesë e një kësti të ri prej 700 milionë dollarësh të ndihmës së sigurisë që përfshin gjithashtu helikopterë, sisteme armësh antitank, radarë, etj.
Ukraina thotë se sistemet e reja raketore nuk do të përdoren për të goditur objektivatn në territorin rus. Paketa e re e sanksioneve të BE-së, duke përfshirë embargon e naftës, është e bllokuar për shkak të vetos së Kryeministrit hungarez Viktor Orban.
Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se furnizimi me sisteme raketore të avancuara të SHBA-së në Ukrainë rrit rrezikun që një “vend i tretë” të përfshihet në konflikt. Zëvendësi i Lavrov, Sergei Ryabkov, tha se Moska e sheh ndihmën ushtarake të SHBA-së për Ukrainën në mënyrë “jashtëzakonisht negative” pasi sipas tyre kjo mund të rrisë rrezikun e një përballjeje të drejtëpërdrejtë.
Forcat ruse tani kontrollojnë më shumë se dy të tretat e qytetit lindor të Ukrainës, Sievierodonetsk. Ndërsa një raketë ruse goditi linjat hekurudhore në rajonin perëndimor të Lvivit, një rrugë kyçe për furnizimet me armë perëndimore dhe furnizime të tjera.