Pasi Shkupi zgjidhi një mosmarrëveshje të gjatë me fqinjin e tij, Bullgarinë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut morën dritën jeshile për fillimin e bisedimeve të pranimit që përfundimisht mund të çojnë në anëtarësimin në BE.
EURACTIV shpjegon hapat e ardhshëm që të dyja vendet duhet të ndërmarrin në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.
“Ne kemi bërë një hap tjetër të rëndësishëm drejt afrimit të Ballkanit Perëndimor me BE-në”, tha kryeministri çek Petr Fiala, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të BE-së.
Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe homologu i tij i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski u pritën të martën në Bruksel dhe morën pjesë në konferencën ndërqeveritare që hap derën për fillimin e bisedimeve të pranimit që ka gjasa të zgjasin me vite.
Historia e shumë vetove
Maqedonisë së Veriut iu dha statusi i kandidatit në vitin 2005, por për shumë vite nuk ishte në gjendje të fillonte negociatat e anëtarësimit për shkak të kundërshtimit të Greqisë, derisa ajo ndryshoi emrin e saj, hoqi Diellin e Vergina nga flamuri dhe hoqi dorë nga “helenizimi” i historisë së saj pas Marrëveshjes së Prespës e vitit 2018.
Më pas, Franca bllokoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën derisa të miratohej një metodologji e re për zgjerimin e ardhshëm në nivel BE.
Pengesa tjetër ishte vetoja bullgare nga viti 2020, pasi Sofja kishte bllokuar çdo përparim për shkak të një mosmarrëveshjeje midis vendeve mbi çështjet historike dhe nevojës për të kapërcyer armiqësinë që daton që nga periudha e Titos.
Kjo u tejkalua pasi Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria nënshkruan propozimin francez që do ta bënte maqedonishten gjuhë zyrtare në BE, do të ndryshonte Kushtetutën e vendit për të përfshirë bullgarët, të garantonin mbrojtjen e të drejtave të pakicave, të ndryshonin tekstet shkollore me referenca negative për Bullgarinë.
Bullgaria megjithatë vazhdon ta konsiderojë gjuhën maqedonase si një dialekt të bullgarishtes dhe të hënën në një takim të ambasadorëve të BE-së dorëzoi një memorandum që kujton qëndrimin e saj.
Mosmarrëveshja midis Sofjes dhe Shkupit solli ngërç edhe në rrugën e Shqipërisë për t’u bërë anëtare, pasi BE i kishte grupuar të dy vendet së bashku në ofertën e tyre të pranimit. Shqipëria mori statusin e vendit kandidat në vitin 2014, nëntë vjet pas Shkupit.
Shqipëria pritet të nisë menjëherë negociatat e anëtarësimit, ndërsa Maqedonia e Veriut do të duhet së pari të ndryshojë kushtetutën duke përfshirë bullgarët në mesin e kombeve të tjera shtetformuese të listuara në të.
Siç tha ministrja e jashtme bullgare në largim, Teodora Genchovska, kjo mund të zgjasë “tre muaj, ose ndoshta dy vjet”.
Si bëhen anëtarë kandidatët?
Para fillimit të negociatave të anëtarësimit, vendi kandidat dhe Komisioni Evropian vendosin të ashtuquajturën “ strategji e para-anëtarësimit ”, e cila çon në hartimin e një kuadri negociues nga të dyja palët.
Negociatat nuk mund të fillojnë derisa mandati të miratohet unanimisht nga vendet anëtare të BE-së.
Në këtë proces, Komisioni Evropian duhet të jetë i kënaqur që vendi kandidat të plotësojë tre kushte, të ashtuquajturat kritere të Kopenhagës.
Për të filluar negociatat, vendi kandidat megjithatë duhet të plotësojë vetëm kriteret politike, ndërsa të tjerat mund të përmbushen gjatë fazës së negociatave.
Më pas zhvillohen negociatat ndërmjet ministrave dhe ambasadorëve të qeverive të BE-së dhe vendit kandidat në atë që quhet Konferenca Ndërqeveritare (IGC).
Faza e parë përfshin një proces rigoroz shqyrtimi të legjislacionit të vendit kandidat për të parë se sa mirë është ai në përputhje me ligjin e BE-së ose me “acquis communautaire.”
Acquis është i ndarë në 35 kapituj negociues, të grupuar në gjashtë grupe, që mbulojnë çdo aspekt legjislativ, të cilat të gjitha individualisht mund të mbyllen vetëm me bekimin unanim të të gjitha shteteve anëtare të BE-së.
Negociatat fillojnë me hapjen e kapitujve “themelorë”, çështje si gjyqësori dhe të drejtat themelore, dhe ky kapitull është gjithashtu i fundit që është nënshkruar.
Negociatat e disa kapitujve mund të zhvillohen njëkohësisht.
Pasi të jenë mbyllur të gjithë kapitujt, Komisioni rekomandon vendet kandidate për anëtarësim dhe vendi nënshkruan Traktatin e Aderimit që specifikon një datë për anëtarësim, duke e bërë atë një “vend aderues”.
Traktati duhet të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare dhe Parlamenti Evropian, i cili duhet të miratojë tekstin me shumicë absolute.
Sa kohë zgjat anëtarësimi?
Ritmi i negociatave varet nga shpejtësia e reformës dhe përafrimi me ligjet e BE-së në çdo vend dhe kohëzgjatja e tyre mund të ndryshojë.
Komisioni Evropian përshkruan progresin e vendeve kandidate në raportet vjetore.
Për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ekzekutivi i BE-së tha në vlerësimin e vitit të kaluar të dy vendet ishin ‘mesatarisht të përgatitura’ në shumicën e gjashtë grupeve dhe kanë parë njëfarë progresi.
Realisht, mbyllja e kapitujve mund të zgjasë disa vite, siç ka ndodhur me Serbinë apo Malin e Zi.
Çdo vend i BE-së mund të kundërshtojë mbylljen ose hapjen e kapitujve dhe Bullgaria i ka rezervuar vetes të drejtën për ta bërë këtë nëse protokolli dypalësh nuk zbatohet nga Maqedonia e Veriut.
Më të shpejtë për të negociuar pranimin ishin Austria, Finlanda dhe Suedia, në pak më pak se dy vjet, ndërsa Kroacisë iu deshën tetë vjet nga fillimi i negociatave për t’u bërë anëtare e plotë e bllokut.
Cilat mund të jenë pengesat?
Çështjet dypalëshe ose trazirat e brendshme: Pavarësisht se fitoi mbështetjen e shumicës së ligjvënësve, propozimi francez kishte shkaktuar protesta të gjera në Maqedoninë e Veriut, me kundërshtarët që argumentonin se ndryshimi i kushtetutës mund të jetë një hap shumë larg.
Kritikët e propozimit francez në Shkup thonë se ai hap derën për mohimin e identitetit kombëtar të maqedonasve. Partia e fuqishme opozitare VMRO-DPMNE në Maqedoninë e Veriut kundërshton fuqishëm kompromisin francez.
Shkalla e përthithjes: Kriteret e Kopenhagës përfshijnë gjithashtu një konsideratë të katërt, domethënë që BE-ja duhet të ketë kapacitetin për të absorbuar një shtet të ri anëtar.
Gjatë viteve të fundit, ka pasur një shkallë të caktuar hezitimi për zgjerim brenda BE-së. Por rëndësia strategjike e Ballkanit Perëndimor për BE-në është rritur që nga pushtimi i Rusisë në Ukrainë, me frikën për ndikimin e Moskës në rajon.
Çekia, e cila tani mban Presidencën e rradhës gjashtëmujore të Këshillit të BE-së, do të duhet të balancojë midis vendeve që shtyjnë për pranimin e shpejtë të Ukrainës në BE dhe vendeve që kanë pritur për shumë vite, si ato në Ballkanin Perëndimor, nga ana tjetër.
Në tetor 2022, Presidenca Çeke do të organizojë një samit jozyrtar në Pragë. Në aktivitet do të marrin pjesë shtetet anëtare dhe vende të tjera evropiane, “nga Islanda në Ukrainë”.
Megjithatë, disa shtete anëtare mbrojnë në mënyrë efektive reformën e BE-së përpara çdo zgjerimi të mëtejshëm të bllokut.
Franca së fundmi ka paraqitur plumbin e saj të argjendtë për të stabilizuar fqinjësinë e BE-së dhe nuk është domosdoshmërisht zgjerimi në radhë të parë.