Shefi i Tesla-s, Elon Musk, ka mohuar se ka pasur një lidhje jashtëmartesore Nicole Shanahan, gruan e bashkëthemeluesit të Google, Sergey Brin.
Reagimi i miliarderit erdhi pas një artikulli të Wall Street Journal se miqësia e tij me Brin kishte përfunduar për shkak të një romance mes Musk dhe Nicole Shanahan.
Ai u shpreh se është ende mik me Brin dhe se ishin “mbrëmë në një festë së bashku”.
Wall Street Journal raportoi se biznesmeni ishte në një lidhje të shkurtër në fund të vitit të kaluar me Shanahan.
Sipas medias, kjo e shty Brin të kërkonte divorcin nga bashkëshortja në fillim të këtij viti dhe dy miliarderët i dhanë fund miqësisë së tyre.
Por Musk shkroi në Twitter: “Unë e kam parë Nicole vetëm dy herë në tre vjet, në të dyja rastet me shumë njerëz të tjerë përreth. Asgjë romantike”.
Në periudhën kur ndodhi tradhtia e supozuar, Brin dhe gruaja e tij ishin të ndarë, por ende jetonin së bashku, raportoi Wall Street Journal, duke cituar një person të afërt të Shanahan.
Në një postim tjetër në Twitter, Musk tha se “Wall Street Journal ka bërë kaq shumë goditje mbi mua dhe Tesla-n, sa kam humbur numërimin”.
Edhe pse kanë një marrëveshje paramartesore, Brin dhe Shanahan aktualisht janë duke negociuar divorcin, i cili mund të jetë deri në 1 miliard dollarë.
Shanahan është avokate në Kaliforni dhe themeluese e kompanisë ligjore të teknologjisë ClearAccessIP dhe Fondacionit Bia-Echo, sipas profilit të saj në LinkedIn.
Musk është personi më i pasur në botë, me një pasuri të vlerësuar prej më shumë se 240 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg.
Ndërsa Brin ka një pasuri rreth 95 miliardë dollarë, duke e bërë atë njeriun e tetë më të pasur në botë.