Rihapja e basteve sportive online në vendin tonë do të bëhet nga kompani ndërkombëtare, që operojnë edhe në vendet e Bashkimit Evropian. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në dëgjesën me grupet e interesit, duke dhënë garanci për transparencë.
“Do ta shikojmë me shumë pozitivitet. Do të vendosim kushte shumë të forta, do të kërkojmë patjetër që nëse kjo do të bëhet të bëhet me kompani ndërkombëtare. Nuk do lejojmë riciklimin e asnjë lloj gjëje që nuk sjell kulmin e transparencës, kulmin e garancive për lojtarët dhe kulmin e ligjshmërisë. Këto janë të garantuara nga kompani ndërkombëtare të mëdha që operojnë ndërkombëtarisht dhe në BE”, tha kryeministri Edi Rama.
Po ashtu, kryeministri Rama shpjegoi pse ka ndryshuar mendim për rikthimin e basteve sportive. Ai shpjegoi se ka qenë e pamundur të eliminohej plotësisht vënia e basteve dhe se paratë që fiton krimi i organizuar mund të administrohen nga shteti dhe të investohen për ambientet sportive.
“I kemi dhënë një shumë prej 5 milion Komiteti Olimpik, por Fideli thotë: Po vitin tjetër? Nëse ne i japim çdo vit nga buxheti 5 milion I bie ta heqim nga diku tjetër. E kemi hequr, por arsyetimi bën sens. Pse mos ia heqim nga duart atyre që shumë më tepër se 5 milion i qarkullojnë, nuk paguajnë asnjë taksë dhe ushqejnë të keqen”.