Ish-presidenti i Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, i cili i dha fund Luftës së Ftohtë pa gjakderdhje, ndërroi jetë ditën e martë në moshën 91-vjeçare. Sipas mediave ruse ai vdiq si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.
Zyrtarë të lartë ndërkombëtar dhe figura të njohura politike kanë reaguar lidhur me ndarjen e tij nga jeta.
“Mikhail Gorbachev ishte një njeri me vizion të jashtëzakonshëm… Si udhëheqës i BRSS, ai punoi me Presidentin Reagan për të reduktuar arsenalet bërthamore të dy vendeve tona… Pas dekadash shtypjeje brutale politike, ai përqafoi reformat demokratike. Rezultati ishte një botë më e sigurt dhe liri më e madhe për miliona njerëz.”, tha presidenti i SHBA-ve Joe Biden.
“Gorbaçovi ishte një burrë shteti i veçantë që ndryshoi rrjedhën e historisë. Ai bëri më shumë se çdo individ tjetër për të sjellë fundin paqësor të Luftës së Ftohtë. Bota ka humbur një lider global të madh, një avokat të përkushtuar multilateral dhe të palodhur për paqen.”, tha Sekretari Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterrres.
“Ne nuk do të harrojmë se perestrojka (ristrukturimi) kishte bërë të mundur që Rusia të ishte në gjendje të përpiqej të ndërmerrte vendosjen e një demokracie, se demokracia dhe liria ishin të mundshme në Evropë, që Gjermania mund të bashkohej, që perdja e hekurt u zhduk. Ai vdiq në një kohë kur jo vetëm demokracia në Rusi ka dështuar … por edhe kur Rusia dhe presidenti rus Putin kanë hapur varre të reja në Evropë dhe kanë filluar një luftë të tmerrshme.”, tha kancelari gjerman Olaf Scholz.
“Mikhail Gorbachev ishte një udhëheqës i besuar dhe i respektuar. Ai luajti një rol vendimtar për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë dhe rrëzimin e Perdes së Hekurt. Ajo hapi rrugën për një Evropë të lirë… Kjo trashëgimi është një trashëgimi që nuk do ta harrojmë.”, tha Presidentja e Komisonit Evropian Ursula von der Leyen.
“Gorbaçovi ishte një njeri i paqes, zgjedhjet e të cilit hapën një rrugë lirie për rusët. Përkushtimi i tij për paqen në Evropë ndryshoi historinë tonë të përbashkët”, tha Presidenti francez Emmanuel Macron.
“Reformat historike të Mikhail Gorbaçovit çuan në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, ndihmuan në përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe hapën mundësinë e një partneriteti midis Rusisë dhe NATO-s. Vizioni i tij për një botë më të mirë mbetet një shembull.”, tha Sekretari i Përgjithshëm i Natos-s Jens Stoltenberg.
Gorbaçovi, presidenti i fundit sovjetik, lidhi marrëveshje për reduktimin e armëve me Shtetet e Bashkuara dhe partneritete me fuqitë perëndimore për të hequr perden e hekurt që kishte ndarë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore dhe për të sjellë ribashkimin e Gjermanisë.
Kur protestat pro-demokracisë përfshinë vendet e bllokut sovjetik të Evropës Lindore komuniste në vitin 1989, ai u përmbajt nga përdorimi i forcës – ndryshe nga udhëheqësit e mëparshëm të Kremlinit që kishin dërguar tanke për të shtypur kryengritjet në Hungari në 1956 dhe Çekosllovaki në 1968. Por protestat nxitën aspiratat për autonomi në 15 republikat e Bashkimit Sovjetik, të cilat u shpërbënë gjatë dy viteve të ardhshme në mënyrë kaotike.
Pasi u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1985, vetëm 54 vjeç, ai kishte vendosur të rigjallëronte sistemin duke futur liri të kufizuara politike dhe ekonomike, por reformat e tij dolën jashtë kontrollit.