Një ditë pasi Ministria e Shëndetësisë konfirmoi prezencën e variantit Delta në vend, Komiteti Teknik i ekspertëve deklaron se ai po qarkullon gjerësisht në Shqipëri. Rastet janë regjistruar në 10 qytete.
Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, bën me dije se Delta, varianti më i transmetueshëm i Covid-19 qarkullon gjerësisht në vendin tonë.
“Në vend ka një rritje të lehë të numrit të rasteve të reja ditore dhe incidencës një javore. Por pavarësisht kësaj, vendi vazhdon të mbetet në një situatë të qëndrueshme epidemiologjike. Në Rajon, Europë dhe botë vihet re një rritje e konsiderueshme e rasteve të reja. Siç është bërë me dije, në Shqipëri është vërtetuar zyrtarisht dyshimi për praninë e variantit Delta të virusit në Shqipëri”, tha Rakacolli.
Rastet me Delta janë në këto qytete.
“Në Charite u dërguan 21 mostra klinike, nazale dhe faringiale, të cilat kanë rezultuar pozitive. Këto janë mostra që janë vënë mënjanë për periudhën 1 qershor deri në 12 korrik, kur kemi filluar të shikojmë edhe sinjalet e pazakonta. Këto mostra ne i kemi gjetur në një përhapje në qytete si Tirana, Elbasani, Shkodra, Lezha, Kavaja, Gjirokastra, Korça, Peqini, Mati dhe Vlora, me numra të vegjël natyrisht”, ka bërë me dije drejtoresha e IShP, prof. Albana Fico.
Fico tha se vihet re që ka një rritje të incidencës dhe të mesatares ditore.
“Situata epidemiologjike në vend ka shënuar disa rritje në raport me incidencën, e cila tashmë është 10 për 100 mijë banorë. Mesatarja ditore është rritur nga 13 deri në 27. Numri total i rasteve aktive rezulton i rritur nga 272 në 280. Numri i bashkive të cilat janë përfshirë nga rastet e reja ka shkuar në 10. Fatmirësisht nuk kemi pasur raste fatalitetesh për javën e 30. Vijojnë të shtohen numrat”.
Masat kufizuese nuk do të ndryshojnë.
“Pavarësisht se është vërtetuar dyshimi i fortë për prezencën e variantit Delta, niveli i masave nuk ndryshon. Masat do të jenë po ato të cilat kanë qenë më parë”, tha Rakacolli.